Zhbllokimi i Kakavijës/ Rama: Të tjerët të përmbushin kriteret për kalimin e kufirit

Zhbllokimi i Kakavijës/ Rama: Të tjerët të…

Pas zhbllokimit të pikës kufitare të Kakavijës kryeministri Rama ka reaguar përmes rrjeteve sociale. Ai ka falenderuar të gjitha strukturat dhe autoritet shtetërore që bënë të mundur zgjidhjen e situatës, mes tyre edhe Greqinë.

Rama u bëri apel qytetarëve të tjerë që në vijim, para se të nisen drejt Greqisë, të plotësojnë të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, në mënyrë që mos të krijohen më situata të tilla.

Statusi i Ramës:

FALEMINDERIT të gjithë atyre që kontribuan për zgjidhjen e ngërçit të rëndë në pikën kufitare të Kakavisë; qytetarëve në radhë të parë, që në shumicën dërrmuese patën mirëkuptim e durim megjithë hallin e madh; Emergjencave Civile, forcave të ushtrisë e të policisë, trupës së Urgjencës Shëndetësore dhe strukturave vendore, që u gjendën pranë njerëzve me përkushtim e pa orar; të gjithë atyre në vendin fqinj që u përfshinë pa rezervë në përpjekjen për ta lehtësuar situatën, në kushtet kur regjimi i ri kufitar e bënte punën për zgjidhjen e saj tejet të vështirë.

U uroj nga zemra një qetësim sa më të shpejtë dhe rifillim normal të jetës së përditshme, të gjithë bashkëqytetarëve që e hoqën atë siklet të madh dhe u lutem të tjerëve në vijim, të ndjekin me vëmendje kriteret e përcaktuara në shtetin fqinj për kalimin e kufirit, e të mos nisen pa u siguruar se mund ta kalojnë kufirin pa siklete të ngjashme.

Rrugë të mbarë udhëtarëve të fundit dhe ruani veten e të tjerët nga virusi i rrezikshëm Covid-19.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit