Zhduken tre shqiptarë të Kosovës, kërkohet ndihmë për gjetjen e tyre

Zhduken tre shqiptarë të Kosovës, kërkohet ndihmë…

Prej më shumë se disa orësh, tre shtetas nga Kosova rezultojnë të zhdukur, ndërsa familjarët e tyre kanë ngritur alarmin dhe po kërkojnë ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e tyre.

Bëhet fjalë për Ejup Ternavën, Cennet Ternavën dhe Fatmire Shabanin, të cilët janë parë për herë të fundit mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 22:00, në Shkup.

Sipas të dhënave të siguruara nga familjarët, tre të afërmit ishin nisur nga aeroporti i Shkupit në drejtim të Kosovës, por që nga ai moment nuk është arritur më asnjë kontakt me ta dhe vendndodhja e tyre mbetet ende e panjohur.

Ata udhëtonin me një automjet tip Mercedes GLC, me ngjyrë blu dhe me targa MR-DT 2025.

Në një komunikim me redaksinë e JOQ Albania, familjarët konfirmuan se zhdukja është raportuar pranë autoriteteve kompetente, si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut.

“Janë në kërkim prej rreth 8 orësh. Në Maqedoni po kontrollohet terreni, madje janë përdorur edhe dronë për kërkim. Edhe Ambasada Gjermane është informuar për rastin”, tha një familjar për JOQ Albania.

Sipas familjarëve, tre personat kanë lidhje të afërta familjare me njëri-tjetrin. Ejup Ternava udhëtonte së bashku me bashkëshorten e tij, Fatmire Shabani, si dhe me motrën e tij, Cennet Ternava.

Deri në këto momente nuk ka asnjë informacion zyrtar mbi vendndodhjen e tyre apo rrethanat e zhdukjes.

Familjarët u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që mund të kenë parë tre personat ose automjetin me të cilin po udhëtonin, të kontaktojnë menjëherë Policinë ose të afërmit e tyre.

Çdo informacion, sado i vogël të duket, mund të jetë vendimtar për lokalizimin e tyre.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit