Zi për Kombëtaren Shqiptare/ Covid i merr jetën në moshën 55-vjeçare fizioterapistit Ylli Mihali

Zi për Kombëtaren Shqiptare/ Covid i merr…

Covid-19 i ka marrë jetën një tjetër emri të njohur në Shqipëri. Mëngjesin e sotëm është ndarë nga jeta fizioterapisti i Kombëtares shqiptare, Ylli Mihali i cili prej disa ditësh po luftonte me Covid-19.

I intubuar prej dy javësh në spital, Mihali në moshën 55-vjeçare nuk ia doli të fitonte betejën më të rëndësishme në jetë, duke tronditur botën e sportit në Shqipëri. Mihali ishte pjesë e Kombëtares shqiptare si fizioterapist për 30 vite, duke ndihmuar me gjendjen fizike qindra lojtarë.

Në ndeshjen kundër San Marinos të fituar nga Shqipëria 5-0, lojtarët kuqezi i dedikuan një mesazh special: “Forca ylli mos u dorëzo”.

Sipas raportimeve, Ylli Mihali kishte marrë dy dozat e vaksinës Pfizer por pavarësisht kësaj 55-vjeçari me një fizik prej sportisti nuk arriti të mbijetonte.

Gjithashtu ka reaguar edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka i cili me një mesazh ka shprehur ngushëllimet për këtë humbje në sportin shqiptar.

Reagimi nga Armand Duka:

Të dashur miq,

Pak minuta më parë u njoha me lajmin e kobshëm se Ylli Mihali, njeriu i mirë, fjalëpak, u nda nga jeta pas një betejë të gjatë e stërmunduese me Covid-19.

Ky është një moment i vështirë për të gjithë futbollin shqiptar, që e njofti dhe e dashuroi aq shumë Yllin, që emrin e reflektonte në ҫdo hap dhe moment të jetës së tij. Një fizioterapist dhe një njeri i jashtëzakonshëm që shërbeu për 27 vite pranë ekipit tonë Kombëtar, pranë klubit të tij Tiranës, pranë sportistëve në vështirësi, duke qënë pranë tyre në ҫdo situatë.

Humori, dashuria për njerzit, dhembshuria e Yllit do të na mungojnë. Në këtë moment të vështirë për familjen e tij, miqtë e tij të shumtë, lutemi që shpirti i tij të prehet në paqe. 

Lamtumirë Yll, do të të kujtojmë gjithmonë me dashuri!

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit