Një defekt në rrjetin elektrik ka shkaktuar zjarr në një kabinë elektrike në lagjen “Apollonia” të Fierit. Flakët përfshinë kabinën, duke alarmuar banorët e zonës dhe duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e shërbimit zjarrfikës.
Ekipet zjarrfikëse mbërritën në vendngjarje dhe ndërhynë për shuarjen e flakëve, duke bërë të mundur izolimin e zjarrit dhe shmangien e përhapjes së tij në zonën përreth. Pas incidentit, furnizimi me energji elektrike u ndërpre në pallatin pranë kabinës dhe në zonën përreth.
Shkaku i saktë i zjarrit ende nuk është përcaktuar. Specialistët pritet të kryejnë verifikimet në kabinën elektrike për të evidentuar defektin, ndërsa më pas do të vijojnë punimet për riparimin e tij dhe rikthimin e furnizimit me energji.