Zjarr në një pallat në Fresk, banorët denoncojnë heshtjen e bashkisë Tiranë

Zjarr në një pallat në Fresk, banorët…

Një zjarr i rrezikshëm shpërtheu në orët e para të mëngjesit të 3 korrikut 2025 në hyrje të një pallati në zonën e Freskut, në Rrugën Muhamed Deliu, pranë stacionit të fundit të Porcelanit. Zjarri dyshohet të jetë shkaktuar nga një cigare e hedhur mbi materiale të braktisura si dyshekë dhe dërrasa pranë parkimit, çka bëri që flakët të përhapeshin me shpejtësi dhe të ndodhnin shpërthime në një magazinë ngjitur, duke rrezikuar jetën e banorëve. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale të forcave zjarrfikëse, u shmang një tragjedi e madhe.

Banorët e pallatit falënderojnë zjarrfikësit për reagimin e menjëhershëm, por denoncojnë mungesën totale të reagimit nga Bashkia e Tiranës. Prej kohësh ata kanë ngritur shqetësime mbi mungesën e pastrimit të hapësirave publike, grumbullimin e mbetjeve të rrezikshme, mungesën e ndriçimit dhe mirëmbajtjen e ambienteve të përbashkëta, por institucionet përgjegjëse kanë heshtur. As pas kësaj ngjarjeje serioze nuk është ndërmarrë asnjë veprim për të inspektuar dëmet apo për të garantuar sigurinë e banorëve.

Në një kohë kur jeta e qytetarëve rrezikohet realisht, institucionet vendore vazhdojnë të qëndrojnë pasive dhe të mbyllin sytë përballë nevojave emergjente të komunitetit. Banorët kërkojnë me urgjencë ndërhyrjen e strukturave shtetërore për të parandaluar përsëritjen e ngjarjeve të tilla dhe për të zbatuar detyrimet ligjore e qytetare që kanë ndaj sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve të tyre. Heshtja institucionale është e pafalshme.

DENONCIM PUBLIK

ZJARR NË PALLAT – 03/07/2025 ora 01:00Am.
FALËNDERIM PËR ZJARRFIKËSEN, NEGLIZHENCË NGA BASHKIA
Banoret në pallatin që ndodhet në [Fresk, Rr. Muhamed Deliu], duam të bëjme një denoncim publik lidhur me një ngjarje të rrezikshme që ndodhi së fundmi në komunitetin tonë, si dhe për të ngritur shqetësimin tonë për neglizhencën e bashkisë përballë kësaj situate.
Pak ditë më parë, në hyrje të pallatit tonë ra zjarr për shkak të materialeve të hedhura (dyshekë, dërrasa) pranë parkimit. Mendohet se një cigare e hedhur aksidentalisht ka shkaktuar zjarrin, i cili u përhap me shpejtësi. Ngjitur ndodhej një magazinë ku ndodhën shpërthime të rrezikshme, duke e kthyer situatën në një makth.
Falënderojmë zjarrfikësit, të cilët mbërritën në kohë rekord dhe reaguan me profesionalizëm, duke shpëtuar të gjithë banorët dhe parandaluar një tragjedi të mundshme. Pa ndërhyrjen e tyre, pasojat mund të kishin qenë fatale.

Megjithatë, pavarësisht kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, bashkia nuk ka reaguar ende. Prej kohësh i kemi drejtuar kërkesa për:
• Lyerjen dhe mirëmbajtjen e ambienteve të përbashkëta të pallatit;
• Pastrimin e hapësirave publike dhe eliminimin e mbetjeve të rrezikshme;
• Ndriçim dhe siguri në hyrje dhe ambientet rreth pallatit.

Por deri më sot, nuk është marrë asnjë masë konkrete.

Kërkojmë urgjentisht ndërhyrjen e institucioneve përkatëse për:
• Inspektimin e pallatit dhe rregullimin e dëmeve;
• Pastrimin dhe mirëmbajtjen e plotë të hapësirave përreth;
• Ndërhyrje për eliminimin e çdo rreziku të mëtejshëm;
• Zbatim të detyrimeve të bashkisë ndaj banorëve.

Jetët tona nuk mund të mbeten në rrezik për shkak të neglizhencës institucionale.

Me shumë respekt dhe shqetësim,
Banorët e pallatit në [Fresk,Rr.Muhamed Deliu, stacioni fundit i Porcelanit]
Data: [05.07.2025]
Ngjarja nuk u be publike. Arsyet nuk dihen.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit