Një vatër zjarri është aktivizuar pasditen e kësaj të mërkure në Voskopojë, në zonën e njohur si “Antenat”, duke mobilizuar menjëherë forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave.
Sapo është marrë njoftimi, drejt vendngjarjes janë nisur dy mjete të shërbimit zjarrfikës, një automjet zjarrfikës dhe një mjet tip “pick-up” me efektivë të gatshëm për ndërhyrje.
Në operacion janë përfshirë gjithashtu punonjës të Njësisë Administrative Voskopojë dhe të Shërbimit Pyjor, të cilët po bashkëpunojnë për izolimin e vatrës dhe parandalimin e përhapjes së flakëve.
Terreni i thyer ka vështirësuar ndërhyrjen, pasi automjeti zjarrfikës nuk ka mundur të afrohet pranë zjarrit. Për këtë arsye, efektivët kanë vijuar lëvizjen në këmbë, duke transportuar pajisjet e nevojshme për të luftuar flakët.
Sipas informacioneve paraprake, një pjesë e forcave ka nisur menjëherë punën për izolimin e zjarrit, ndërsa efektivë të tjerë po i bashkohen operacionit në terren.
Autoritetet bëjnë me dije se, pas vlerësimit të situatës nga drejtuesi i shërbimit zjarrfikës, do të vendosen hapat e mëtejshëm për neutralizimin e plotë të vatrës së zjarrit dhe shmangien e rrezikut për përhapjen e tij në zonat përreth.
Deri më tani nuk raportohen persona të lënduar apo rrezik për banesa, ndërsa operacioni për shuarjen e flakëve vijon.