Zjarret në Mat jashtë kontrollit, flakët u afrohen banesave në Lundre

Zjarret në Mat jashtë kontrollit, flakët u…

Prej më shumë se 24 orësh, situata nga zjarret në zonën e Trodhenes, në Njësinë Administrative Ulëz të Bashkisë Mat, vijon të jetë kritike. Tre vatra zjarri janë aktive, ndërsa pavarësisht angazhimit të forcave në terren dhe ndërhyrjes nga ajri gjatë ditës së djeshme, nuk ka qenë e mundur izolimi i flakëve. Era e fortë, temperaturat e larta dhe terreni i vështirë malor kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarrit.

Sipas informacioneve nga terreni, disa banesa në fshatin Lundre janë të rrezikuara, pasi flakët po përhapen në drejtim të tyre si nga zona e Trodhenes, ashtu edhe nga Lundreja. Terreni i thyer e vështirëson ndjeshëm ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse, ndërsa punonjësit e Bashkisë Mat, shërbimi zjarrfikës dhe shërbimi pyjor vijojnë përpjekjet për izolimin dhe shuarjen e vatrave.

Autoritetet vendore kanë kërkuar sërish mbështetje nga ajri, duke e konsideruar atë të domosdoshme për shkak të pamundësisë së ndërhyrjes efektive nga toka. Ndërkohë, policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve, pasi zjarret dyshohet se janë të qëllimshme.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit