Zjarrfikësit s’mposhten para flakëve: S’dorëzohemi, jemi lindur e rritur këtu

Zjarrfikësit s’mposhten para flakëve: S’dorëzohemi, jemi lindur…

Të rraskapitur, pa gjumë dhe në disa raste edhe të sëmurë, por pa hequr dorë nga beteja me flakët. Zjarrfikësit që prej pesë ditësh po përballen me vatrat e zjarrit në Krujë thonë se nuk do të largohen derisa të shuhet edhe vatra e fundit.

Mes tyre është edhe Altin Shullazi, komandanti i zjarrfikësve që po angazhohen në operacion. Pavarësisht lodhjes së madhe, ai ruan optimizmin dhe këmbëngul se motivimi i tyre është i fortë: dashuria për qytetin ku janë lindur dhe rritur.

“5 ditë e 5 net. Merremi me zjarrin në Krujë dhe nuk do të ndalojmë derisa të shuhet. Jemi të gjithë në punë”, shprehet Shullazi.

I pyetur se çfarë i mban të fortë përballë lodhjes, ai përgjigjet: “Na dhimbset ky qytet. Jemi lindur e rritur në këtë qytet, nuk duam të shkatërrohet”.

Situata e zjarrfikësve është e vështirë. Sipas Shullazit, një pjesë e madhe e tyre kanë temperaturë të lartë, ndërsa disa po përballen edhe me dëmtime fizike.

Pjesa më e madhe janë me temperaturë 39-40, por janë këtu. Nuk do të dorëzohemi deri në fund, derisa ta mbyllim edhe vatrën e fundit të zjarrit”, thotë ai.

Lodhja dhe pasojat e ditëve të gjata në terren duken edhe te zjarrfikësit e tjerë. Eduarti ka treguar për mediat se ka ditë që nuk i ka hequr këpucët, ndërsa këmbët dhe gishtat i janë nxirë nga puna e pandërprerë.

Kam një javë pa gjumë dhe as këpucët nuk i kam hequr prej disa ditësh. Puna jonë kështu e ka. Edhe kolegët e tjerë kanë dëmtime në këmbë”, tregon ai.

Pavarësisht temperaturës së lartë, mungesës së gjumit dhe dëmtimeve, zjarrfikësit vijojnë të qëndrojnë në terren, të vendosur për të mbrojtur Krujën dhe për të mos lejuar që flakët të marrin më shumë jetë e pasuri.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit