
Zona e Himarës është përfshirë prej orësh nga flakë të fuqishme, të cilat kanë avancuar në disa drejtime për shkak të erërave dhe temperaturave të larta. Fillimisht, zjarri përfshiu zonat me banesa dhe sipërfaqe pyjore në Livadh dhe Dhërmi, duke shkaktuar panik dhe shqetësim tek banorët dhe pushuesit.
Pavarësisht përmasave të emergjencës, ndërhyrja ajrore ndodhi vetëm pas raportimeve të JOQ Albania gjatë ditës së sotme. Vetëm pas ku Forcat e Armatosura ndërhynë u furnizuan me ujë nga deti për të shuar vatrat nga ajri.
Por, pamjet e fundit të dërguara nga qytetarët në redaksinë tonë tregojnë se zjarri vijon ende edhe gjatë mbrëmjes në Llaman, duke ngritur dyshime të forta se ose flakët nuk janë shuar plotësisht, ose janë riaktivizuar.
Qytetarët kanë nisur sërish thirrjet urgjente ndaj autoriteteve për të marrë situatën nën kontroll sa më parë. Nga videot dhe fotot e dërguara, duket qartë se zjarri është i fuqishëm dhe rrezikon të përhapet më tej, në një prej zonave më të frekuentuara turistike në vend.
Situata mbetet kritike dhe e pandryshuar.
Pamjet më poshtë tregojnë përmasat e rrezikshme që ka marrë zjarri në Himarë.