Zjarri në Elbasan/ Vengu kujtohet pas 3 ditësh, Kumbaro në gjumë, Llatja i bën bisht takimit me qytetarët

Zjarri në Elbasan/ Vengu kujtohet pas 3…

Para 3 ditësh një zjarr masiv përfshiu Elbasanin pas djegies së plehrave pranë inceneratorit. Banorët e këtij qyteti kanë 3 ditë që mezi hapin dritare, ndërsa jetojnë mes rrezikut të ndotjes dhe erës së pakëndshme që ka çliruar djegia e plehrave.

Më fund, pas tre ditësh heshtje nën freskinë e kondicionerëve të Ministrisë, një sy u kthye nga Elbasani i cili po digjet prej kaq ditësh. Zjarret, që për banorët janë kthyer në një makth, janë vizituar ditën e sotme nga ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu.

Më në fund shteti i kujtua se në Elbasan ka jetë njerëzish që po u rrezikohet jeta dhe shëndeti. Si duket tymi i Elbasanit ka shkuar me vonesë në Tiranë te ministria e Vengut, ndonëse denoncimet dhe lajmet kanë folur për këtë situatë.

Ministri Pirro Vengu, vendosi të bëjë sot një inspektim heroik pikërisht në ditën kur zjarri kishte konsumuar thuajse gjithçka përreth dhe menjëherë rinisi puna nga ajri për vënien në kontroll të zjarrit.

Mirela Kumbro, ministrja e Mjedisit, e cila është përgjegjëse për mbetjet, është në gjumë ose me pushime. Ajo ende nuk është parë që të reagojë apo të japë zgjidhje për masakrën mjedisore që po i bëhet Elbasanit.

Edhe kryetari i bashkisë Elbasan Gledian Llatja nuk ka marrë asnjë hap për të zgjidhur problemin në fjalë. Madje sot kishte thirrur një takim me qytetarët për ndotjen masive nga djegia e landfillit, por nuk mori pjesë duke treguar papërgjegjshmëri dhe moskorrektësi.

Të paktën për Elbasanin, ndonëse me vonesë, u kujtua Vengu. Një vizitë simbolike, një video për rrjetet sociale dhe misioni konsiderohet i përmbushur. Sepse në Shqipërinë tonë, edhe zjarret presin radhën derisa të çohen zyrtarët nga karriget!

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit