Zv/kryetari i Bashkisë Tropojë më i fortë se ligji! Shkel arrestin shtëpiak, institucionet heshtin

Zv/kryetari i Bashkisë Tropojë më i fortë…

Zëvendëskryetari i bashkisë Tropojë, Abedin Kërrnaja, ndodhet nën masën e sigurimit “arrest shtëpie” që prej datës 6 shtator 2024 sipas vendimit numër 112 të Gjykatës së Posaçme.

Pavarësisht kësaj mase ligjore konkrete, Kërrnaja shfaqet çdo ditë në qytetin e Bajram Currit duke lëvizur i lirë dhe duke takuar hapur punonjës të bashkisë dhe drejtorë të institucioneve lokale.

Siç shihet dhe nga video e dërguar në redaksinë e JOQ Albania, Kërrnaja ndonëse është në arrest shtëpie, lëviz i lirë në rrugët e qytetit të Bajram Currit pa pyetur për drejtësinë.

Kjo praktikë përbën një shkelje flagrante të vendimit të gjykatës dhe hedh poshtë seriozitetin e zbatimit të vendimeve të dhëna nga drejtësia në vend.

Ndonëse Kërrnaja lëviz lirshëm çdo ditë të mundshme, policia lokale nuk ka marrë asnjë masë për të ndaluar Kërrnajën apo respektuar vendimin gjyqësor.

Drejtësia është e barabartë për të gjithë, ndaj  Policia e Shtetit e Tropojës, Prokuroria pranë Gjykatës së Posaçme duhet të veprojnë që Kërrnaja të zbatojë vendimin gjyqësor.

Përshëndetje JOQ Albania! Dua të bëj një denoncim publik që lidhet me një shkelje të rëndë të vendimit gjyqësor nga një funksionar lokal në Tropojë. Zëvendës-kryetari i Bashkisë Tropojë, z. Abedin Kërrnaja, është me masë sigurie “arrest në shtëpi”, vendosur nga Gjykata e Posaçme më 06.09.2024 (Vendimi nr. 112). Megjithatë, ai shfaqet çdo ditë në qytetin e Bajram Currit duke lëvizur i lirë, në kundërshtim të plotë me vendimin gjyqësor. Në një video të regjistruar sot, ai shihet duke u takuar hapur me punonjës të Bashkisë Tropojë si dhe me drejtorin e Spitalit të Tropojës, z. Kujtim Rexha. Policia lokale është plotësisht në dijeni të kësaj situate, por për arsye të pashpjegueshme nuk vepron. Kjo është një shkelje e rëndë e ligjit, që dëmton besimin e qytetarëve tek drejtësia dhe promovon pandëshkueshmërinë. Kërkoj publikimin e këtij rasti për të sensibilizuar opinionin publik dhe për të nxitur institucionet që të reagojnë”, shkruan qytetari.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit