Blegtorët e Fierit në protestë: Shteti na ka vënë shkelmin

Blegtorët e Fierit në protestë: Shteti na…

Protesta që mbajtën një ditë më parë blegtorët e jugut ka ngritur në protestë dhe ata të Fierit këtë të martë.

Dhjetëra blegtorë u mblodhën në Levan për të protestuar pas mosdëgjimit të kërkesave të tyre nga pushteti dhe neglizhencës totale e cila ua ka vështirësuar jetesën. Me pankarta në duar, fermerët kanë kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për rregullimin e çmimeve të produkteve të tyre blegtorale, duke shprehur shqetësimin sa i përket mungesës së subvencioneve dhe kullotave.

“Shteti na ka vënë shkelmin, unë kam 10 ha tokë me qira. S’di të kem marrë një subvenciomin nga shteti, kokërr leku nuk kam marrë. Ata nuk vijnë të na pyesin asnjëherë. Vjet e kishim me 160 qumështin, sot me 140. Ne jemi detyruar që ta marrim bagëtinë, ta shesim dhe të rrimë. Shteti nuk na jep subvencionim, ne jemi drejt falimentimit”, thotë një blegtor.

Ulja e çmimit të qumështit si pasojë e monopolizimit të tregut nga fabrikat e mëdha përpunuese ka nxitur vërshimin në rrugë të blegtorëve, pasi kjo situatë i ka futur në vështirësi ekonomike. Gjendur në këtë situatë blegtorët thonë se janë të detyruar të ulin numrin e bagëtive ose t’i shesin fare.

“Me çfarë do t’i mbajmë ne këto bagëti? Kam një çun, të ikë, deri sot e kam mbajtur, tani të ikë dhe unë të rri pa bukë. Kasapi do t’i marrë dhentë, 250 krerë kam dhe unë do rri bashkë me plakën. Po më dërgoi lekë djali mirë, po s’më dërgoi le të vdes. Qumështi është ulur fare. Ne po rrimë me duar në xhepa. Kemi 200 krerë, është gjynah dhe turp i madh.”, tha një tjetër blegtor.

Kërkesa kryesore e blegtorëve të Fierit është rregullimi i çmimit të qumështit, duke kërkuar gjithashtu ndërgjegjësimin e opinionit publik për rëndësinë e produkteve vendase.

Korrupsioni i qeveritarëve është një ndër shkaktarët e kësaj gjendje të fermerëve, ku vetëm disa muaj më parë Komisioni Europian ka vendosur ndërprerjen e përkohshëm të financimeve për projektet e bujqësisë në Shqipëri. Ky vendim erdhi pasi përfaqësuesit e zyrës së OLAF morën një sërë denoncimesh nga qytetarë të ndryshëm për korrupsion, favorizime dhe ndërhyrje të politikanëve në ndarjen e financimeve.

Lexo edhe: Blegtorët e jugut në protestë: Subvencionet si lëmoshë

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit