Kosova pranon targat e Serbisë

Kosova pranon targat e Serbisë

Qeveria e Kosovës ka miratuar shfuqizimin e vendimit për vendosjen e letrave mbuluese të targave të automjeteve serbe kur kalojnë në kufij.

Ky vendim i qeverisë së kryeministrit Albin Kurti vjen pasi Serbia vendosi që të lejojë automjetet me targa RKS, që të lëvizin të lirshme në territorin e shtetit serb. Ky vendim i qeverisë së Serbisë pritet të hyjë në fuqi nga fillimi i kësaj jave, të hënën e 8 janarit 2024.

Kryeministri Kurti tha për këtë vendim se heqja e letrave ngjitëse “është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”.

I pari që mori këtë vendim ishte Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili deklaroi në 31 dhjetor 2023 se vendimi për lëvizjen e lirë të automjeteve, shmang rreziqet e mëdha për vendin. Ky vendim u pa si një hap pozitiv nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, të cilët u shprehën optimistë për një normalizim të marrëdhënieve ndërshtetërore!

Lidhur me këtë çështje, Kosova dhe Serbia kishin arritur një marrëveshje dialogu të ndërmjetësuar nga BE-ja në vitin 2011. Por tensionet mes dy vendeve vijuan, dhe në shtator të vitit 2021 u arrit një marrëveshje e re e përkohshme për targat. Ajo marrëveshje, kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjate, duke bërë që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve.

Kjo gjë u pa si tradhti nga serbët që jetojnë në veri të Kosovës, por kishte dhe nga ata që e panë si diçka të mirë. Tashmë duket se çështja e targave do të mbyllet me konsensus mes qeverive të dy vendeve.

Lexo edhe: Serbia njeh targat e automjeteve të Kosovës

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit