Ilir Beqaraj dhe Edison Haxhiu të arrestuar nga Policia si të përfshirë në atentatin ku humbi jetën Gentian Bejtja janë lënë në burg nga Gjykata e Tiranës.
Të dy ata u arrestuan një ditë më parë (20/03/2024) si të përfshirë në atentat, pasi sipas prokurorisë automjeti tip ‘Golf’ të cilin përdorën autorët për tu larguar nga fshati Hasan ku dogjën makinën e ngjarjes, është në pronësi të Edison Haxhiut.
Avokati i të akuzuarve i mohoi akuzat, duke u shprehur se të ndaluarit e Policisë nuk kanë lidhje me krimin. Sipas tij prokuroria nuk ka prova që automjeti me të cilin lëvizën autorët është i njëjti me atë të Haxhiut.
“Nuk kanë asnjë lidhje me ngjarjen. Është djali i xhaxhait të Ylli Brahimit, ai ka zgjedh të jetojë në një zonë rezidenciale për shkak se i janë bërë disa atentate, ky automjet nuk ka lëvizur në atë interval rruge, e tregon GPS. Provat e prokurorisë janë pamjet filmike të një automjeti i ngjashëm me atë në vendngjarje, por nëse është i njëjti nuk e provojnë dot. I kërkuam ekspertizë gjykatës dhe e pranoi”, tha avokati i të akuzuarve.
Një ditë më parë të arrestuarit refuzuan të bashkëpunojnë me hetuesit për të treguar më shumë rreth ngjarjes, me qëllim zbulimin e identiteteve të personave të tjerë që janë të përfshirë.
Gentian Bejtja u vra në 15 mars në oborrin e banesës së tij në fshatin Larushk të Fushë-Krujës. Ai në të kaluarën u ka shpëtuar tre atentateve të tjera me eksploziv dhe armë zjarri. Në të kaluarën Bejtja ka qenë polic i burgjeve.
Lexo më shumë për ngjarjen:
Të arrestuarit për vrasjen e Gentian Bejtjas nuk bashkëpunojnë me hetuesit
‘Pasi e vranë, dogjën makinën dhe ikën me golf’, zbardhet dinamika e atentatit në Larushk